NEW YORK – Hakmarrja e Donald Trump bie mbi Twitter-in. Media e tij e preferuar sociale është shndërruar papritur në një armik. 48 orë pas “përplasjes”, e provokuar nga vendimi i Twitter-it për të paralajmëruar përdoruesit për mesazhe potencialisht të rreme nga presidenti, erdhi dënimi.
Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv (ekuivalentin e një dekreti) i cili duhet të bëjë më të lehtë ndjekjen e mediave sociale si Twitter dhe Facebook nëse marrin rolin e “moderatorëve” të lajmeve të rreme, duke fshirë postimet ose duke mbyllur llogaritë. Në këtë mënyrë, dekreti përpiqet të shembë ose dobësojë një mburojë ligjore që mbron mediat sociale dhe platformat në internet.
Teza e Trump është se këto rrjete sociale kanë një axhendë politike progresiste dhe se roli i tyre si moderator nuk është neutral. Ai tha se me fjalët e tij “ata bëjnë aktivizëm”. Në njoftimin e nënshkrimit të dekretit, ai shtoi se do të ishte i gatshëm të mbyllë llogarinë e tij në Twitter. Kërcënimi i fundit është ndoshta më shqetësues – nëse është i vërtetë. Për mediat sociale përdorimi i përditshëm i tyre nga ana e Presidentit të Shteteve të Bashkuara u ka sjellur një rritje të audiencës dhe një publicitet të madh. Trump tha se masa e tij shërben për “mbrojtjen e fjalës së lirë kundër një prej rreziqeve më të mëdha”.
Eshtë e dyshimtë nëse një dekret presidencial mund të fshijë rregulloret ekzistuese që rregullojnë përgjegjësitë e mediave sociale dhe t’i mbrojnë ata nga veprimet ligjore. Padyshim që ky dekret hyn në arsenalin e fushatës zgjedhore: Trump gjithmonë i ka akuzuar gazetat dhe stacionet televizive se janë në shumicë në të majtë. Tani ai shton mediat sociale në radhët e armiqve që e persekutojnë dhe bojkotojnë atë.